Komiteti zgjedhor për ambasadorët inaugurues ndërkombëtarë i përbërë nga Presidenti, dy Nënkryetarë dhe Kryeshefi Ekzekutiv i IOHSK (Organizata Ndërkombëtare për Shëndet, Sport dhe Kinesiologji) në takimin e datës 29 dhjetor 2020 ka emëruar ambasadorët ndërkombëtar si përfaqësuesit më të lartë të IOHSK-së në arenën ndërkombëtare. IOHSK ka emëruar 9 ambasadorë ndërkombëtar nga shtetet si Kosova, Romania, India, Uganda, Meksika, Filipinet dhe Shri Lanka.
“Emërimi im si Ambasador i IOHSK në Kosovë natyrisht që është një privilegj por është edhe një obligim shtesë në promovimin e aktiviteteve për studentët kosovar. Unë së bashku me ekipin tim do të vazhdojmë të punojmë në ndërkombëtarizimin e mëtutjeshëm të IOHSK duke ndihmuar integrimin e studentëve tanë në aktivitete të ndryshme të shkencave sportive të organizuara nga IOHSK. Që nga pranvera e vitit të kaluar për shkak të pandemisë qytetet ku jetojmë janë bërë të largëta për banorët e vet e lëre më udhëtimet nëpër botë. Uroj që sa më shpejtë të kalojë pandemia COVID 19 dhe secili prej nesh ti kthehemi aktiviteteve të përditshme” deklaroj Profesor Krasniqi.
IOHSK edhe pse një organizatë e re sportive, ajo tashmë ka mbi 1600 anëtar nga 62 shtete të botës.