Home

WDR 2019

Moto e Ditës Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor këtë vit ndërlidhet me Shtyllën 3 të Dekadës Globale të Veprimit: Automjete më të Sigurta. Për më tepër, moto është në përputhje me temën e përgjithshme të Konferencës së 3-të Ministrore Globale mbi Sigurinë Rrugore që do të zhvillohet në Stokholm në Shkurt të vitit 2020 - "Arritja e Qëllimeve Globale 2030".

Përkundër përpjekjeve globale, lloji i lëvizshmërisë rrugore që mbizotëron në gjithë botën ende shkakton një numër të papërballueshëm vdekjesh, lëndimesh të rënda dhe sëmundjesh për çdo vit, si pasojë direkte të aksidenteve në trafikun rrugor, por edhe përmes ndotjes së ajrit.

Çdo vit, të paktën 1.3 milion vdesin dhe rreth 50 milion të tjerë lëndohen rëndë për shkak të aksidenteve rrugore në të gjithë botën. Kësaj duhet t’i shtojmë edhe vdekjet e parakohshme prej 4.2 milion  të shkaktuara nga ndotja e ajrit në natyrë, shumica e të cilave shkaktohen nga ndotja e ajrit të jashtëm . Për më tepër, dhjetëra miliona njerëz vuajnë nga sëmundjet që lidhen me ndotjet e shkaktuara pjesërisht nga gazrat e shkarkimit dhe grimcave të frenave dhe gomave.

Statistikat globale përgjithësisht nuk i përmbledhin të dhënat në lidhje me vdekjet dhe lëndimet në trafikun rrugor duke i krahasuar ato me sëmundjet fatale që lidhen me ndotjen. Kur flasim për viktimat e trafikut rrugor ne kemi prirje të përqendrojmë vëmendjen dhe shqetësimin tonë tek shkaktarët e parë, e jo te këta të fundit. Por ekziston çdo arsye për të pasur një vështrim më gjithëpërfshirës të tragjedisë globale nëse me të vërtetë dëshirojmë të kërkojmë zgjidhje më të mira dhe më të qëndrueshme.

E vërteta e thjeshtë është se automjetet motorike janë makina të rrezikshme, jo vetëm për shkak të modelimit të tyre të brendshëm dhe të jashtëm, por edhe për shkak të ndotjes që shkaktojnë. Prandaj, duke pranuar se dy herë më shumë njerëz viktimizohen fatalisht nga gazrat e shkarkimit dhe mbetjet e frenave dhe të gomave se sa nga përplasjet në rrugë, është një hap thelbësor për të ndërmarrë një veprim vendimtar dhe për të ndryshuar modelin e tanishëm të lëvizjes në rrugë. E drejta jonë për jetën - dhe për shëndetin - vihet dyfish në dyshim çdo ditë në rrugët nëpër botë. Prandaj, urgjentisht duhet të pranojmë shkurtpamësinë e modeleve aktuale të sigurisë rrugore, të cilat nuk përfshijnë masa për të adresuar fatkeqësitë nga ndotja, pasi vetëm atëherë mund të përballemi me realitetin kompleks të kësaj pandemie dhe t’i bëjmë drejtësi kujtesës ndaj të gjithë viktimave.

Ne duhet të bëjmë një reflektim të thellë për llojin e mobilitetit që kemi sot, i cili bazohet në vlerat imediate, të egoizmit dhe materializmit, dhe që nuk merr parasysh kostot serioze sociale, ekonomike dhe ekologjike që ai sjell për të gjithë njerëzimin .

Automjetet rrugore të motorizuara janë ndërtuar për t'u ofruar përdoruesve lirinë e lëvizjes dhe ndjenjën e fuqisë personale përmes shpejtësisë. Këto veti i bëjnë automjetet shumë tërheqëse por të rrezikshme. Jeta e njeriut nuk është pjesë e automjetit që mund të zëvendësohet në rast të prishjes. Pra, rreziku për të vdekur prej tyre, qoftë nga mungesa e kontrollit kinetik ose nga thithja e grimcave vdekjeprurëse, nuk është një aksesor i zëvendësueshëm: rreziku është një përbërës integral i dizajnit të tyre.

Kështu, për të arritur Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara nën pikat 3.6 dhe 11.2 (shëndet më të mirë dhe mjedise më të qëndrueshme urbane), duhet të përqafojmë një vizion vërtet gjithpërfshirës dhe të kuptojmë që Vizioni Zero nuk është vetëm një qëllim i dëshiruar për sa i përket pasojave imediate ngaaksidentet në trafikun rrugor mes automjeteve më të lehta dhe më të sigurta që respektojnë banorët dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, por gjithashtu kërkon që të synojnë zero emetime (gazra të shkarkuara dhe grimca të frenave dhe gomave), duke promovuar mjete të tjera të transportit që janë më të buta dhe më aktive, dhe zvogëlimin e udhëtimeve të gjata duke u përqëndruar në "produkte me zero kilometra".

Këtë vit për herë të pestë edhe vendi ynë i bashkohet shteteve nga mbarë bota të cilat shënojnë Ditën Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor, ndërsa sikurse edhe viteve tjera në Kosovë aktivitetet në shkallë vendi koordinohen nga Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS”, si anëtare të FEVR-it. Aktivitetet mbështeten edhe nga partnerët e Forumit të Kosovës për Siguri në Rrugë. Tash e pesë vite rregullisht aktivitetet tona janë prezantuar edhe në kalendarin zyrtar të WDR-së.

Agjenda:

Datë: 15 Nëntor 2019, ora 18:00

Vendi: Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” dhe Teatri Kombëtar në  Prishtinë.

Aktiviteti: Marsh përkujtimor në këmbë nga Lagja Arbëria, rrugës Fehmi Agani deri te Teatri Kombëtar ku janë ndezur 97 qirinj në përkujtim të 97 viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor deri më tani në vitin 2019.

Studimet master
Studimet bachelor
Trajnimet
Projektet