WDR 2017

E diela e tretë e muajit Nëntor shënon Ditën Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor. Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe për mbështetje ndaj familjarëve të viktimave.

Aksidentet e trafikut tash e sa vite nuk janë sfidë vetëm e shoqërisë dhe vendit tonë, por një shqetësim i madh global, i cili në shumicën e vendeve të botës është vrasësi më i madh i njerëzve. Ky shqetësim lidhet me statistikat e fundit, ku rezulton se çdo vit  për shkak të aksidenteve rrugore humbin jetën rreth 1.3 milion njerëz në vende të ndryshme në botë, kurse rreth 50 milion të tjerë marrin lëndime.

Këtë vit për herë të tretë Kosova u bashkua me shtete të ndryshme në botë të cilat shënuan Ditën Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor, ndërsa sikurse edhe viteve tjera në Kosovë aktivitetet u koordinuan nga Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS” dhe Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” në bashkëpunim me partnerët e Forumit të Kosovës për siguri në rrugë.

Agjenda e aktiviteteve:

E shtunë, datë 18 Nëntor 2017- në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, në objektin e Kolegjit “Tempulli” u organizua një aksion i dhurimit vullnetar të gjakut, dedikuar personave të lënduar në aksidente trafiku.

E diel, datë 19 Nëntor 2017- pranë Teatrit Kombëtar të Kosovës, u ndezën 113 qirinj në përkujtim të 113 të vdekurve në aksidente të trafikut rrugor deri më tani në vitin 2017.