WDR 2015

Është koha për të kujtuar – thuaj JO krimeve në rrugë

E diela e tretë e muajit Nëntor shënon Ditën Botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor. Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe për mbështetje ndaj familjarëve të viktimave.

Aksidentet e trafikut tash e sa vite nuk janë sfidë vetëm e shoqërisë dhe vendit tonë por tashmë janë një shqetësim i madh global, i cili në shumicën e vendeve të botës është vrasësi më i madh i njerëzve. Vdekja dhe lëndimet në rrugë si pasojë e aksidenteve janë gjithmonë ngjarje të papritura, të dhunshme dhe traumatike, të cilat kanë ndikim afatgjatë te të aksidentuarit por edhe te familjarët e tyre.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) çdo 6 sekonda dikush vdes ose bëhet i paaftë përgjithmonë, çdo ditë në botë në aksidente rrugore vdesin më shumë se 3400 persona dhe dhjetëra mijëra të tjerë mbeten përherë të paaftë për punë dhe jetë normale. Brenda një viti në aksidente trafiku vdesin 1.2 milion njerëz.

Është hera e parë që në Kosovë përgjatë gjithë javës janë zhvilluar aktivitete të ndryshme për të shënuar Ditën Botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, kjo ditë përkujtimore u shënua me një mori aktivitetesh të cilat ishin një thirrje protestuese për siguri më të madhe në rrugë por edhe për të kujtuar 112 jetërat e humbura (01 Janar -15 Nëntor 2015), të qytetarëve të vendit si pasojë e aksidenteve në trafik.

Të gjitha aktivitetet e lartpërmendura ishin iniciativë qytetare, të cilat u mbështetën edhe nga shoqëria civile dhe nga disa institucione të vendit: Zyra e Presidentes së Kosovës, MI, Policia e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Kolegji Tempulli, Asociacioni Kosovar i Motorizimit-AMRKS, Forumi i Kosovës për siguri në rrugë, Transfuzioni i gjakut, Brigada e Zjarrfikësve dhe Nisma vetëdijësuese për çiklizëm.

Së bashku mund të bëjmë më shumë për të penguar të keqen dhe për të ofruar më shumë siguri në rrugë.