Vlerësimi i njohurive të nxënësve në njohjen e rregullave dhe shenjave të trafikut

Ky hulumtim është realizuar nga Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike TEMPULLI dhe  Asociacioni KosovaMotorizimit AMRKS, në bashkëpunim me Ministrinë e  Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Ka kohë që është duke u ndier nevoja e madhe për një kampanjë gjithëpërfshirëse lidhur me sigurinë në komunikacion. Përveç botimit disavjeçar të revistës “Auto Tempulli”,e cila ishte periodiku, përkatësisht revista e vetme ilustruese në vend deri tani nuk ka pasur  iniciativa të tilla  për  sigurinë në rrugë  në nivel  vendi.

Ky projekt përmes fushatave të veta,në radhë të parë ka për qëllim ngritjen e kulturës në trafik,njohjen me gjithë atë që duhet të dimë ,të mësojmë për sjelljen dhe përgjegjësitë tona si pjesëmarrës në trafik.

Aktivitetet janë zhvilluar sipas skemës së vendosur me rastin e planifikimit dhe dinamikës së caktuar me rastin e themelimit të FKSRR me datë 14 Maj 2013. Këto aktivitete janë paraparë të zhvillohen sipas etapave të mëposhtme:

Faza e parë

Maj – Qershor 2013 – Organizimi i testeve-vlerësimi i arritshmërisë;

Faza e dytë

Korrik – Gusht 2013 – Realizimi i emisioneve televizive;

Faza e tretë

Shtator-Dhjetor 2013 – Publikimi i rezultateve të hulumtimit;

  • Vazhdimi i aktiviteteve në shkolla;
  • Vazhdimi i sajimit të emisioneve televizive;
  • Emisioni “ Siguria në rrugë”

Me qëllim të shtrirjes së fokusit të aktiviteteve për sigurinë në rrugë, Kolegji Tempulli në bashkëpunim me KTV-në ka arritur të realizojë edhe një emision javor televiziv ‘Siguria në rrugë’. Përmes këtyre emisioneve televizive janë ftuar ekspertë në studio si dhe janë realizuar kronika të posaçme në terren varësisht nga tema e trajtuar.

Rezultatet e hulumtimit

Hulumtimi është realizuar gjatë muajve të pranverës dhe verës së këtij viti, me përzgjedhjen e MASHT-it,në 40 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta. Janë vlerësuar rezultatet e nxënies në pjesën teorike (njohja e shenjave dhe rregullave të komunikacionit)dhe në pjesën praktike (shkathtësitë teknike në ngasjen e biçikletave). Në bazë të analizës së përgjithshme të gjendjes në terren, është vërejtur një gjendje jo e mirë e përvetësimit të njohurive teorike dhe e zhvillimit të mësimit praktik sa u përket rregullave dhe sjelljes në rrugë.Rezultatet e hulumtimit kësaj radhe i kemi fokusuar në rrafshin e shkollave,duke mos u ndalur në performacën individuale të nxënësve.

Duke u bazuar në të dhënat që kanë dalë nga ky hulumtim dhe duke njohur mirë situatën e tanishme në aspektin e sigurisë në rrugë si dhe aktivitetet e zhvilluara në këtë frymë konsiderojmë se janë të nevojshme këto veprime të shprehura përmes konkluzioneve të mëposhtme:

  1. Të zhvillohen përgatitjet e nevojshme për hartimin e planit dhe programit të lëndës “Siguria në rrugë”me qëllim të përfshirjes në kurrikulat shkollore të kësaj lënde në vitin shkollor 2014/2015;
  2. Të zhvillohen forma të përhershme të aktiviteteve mësimore dhe jashtë mësimore me nxënës me qëllim të rritjes së njohurive për një sjellje të kulturuar dhe të sigurt në rrugë.  Përkrahja institucionale e aktiviteteve në kuadër të projektit“Siguria në rrugë”,të filluara këtë vit në shkollat fillore të Kosovës;
  3. Sigurimi i fondeve për zhvillimin e fushatave sensibilizuese për sigurinë në rrugë. Krijimi i një fondi me pagesë simbolike nga të hyrat nga pagesa e policave të sigurimit të detyrueshëm,nga taksat rrugore me rastin e regjistrimit të automjeteve;
  4. Harmonizimi i zhvillimit të aktiviteteve në shkallë vendi lidhur me sigurinë në rrugë;
  5. Përfshirja sa më e madhe e institucioneve,organizatave,shoqërisë civile në zhvillimin e aktiviteteve për sigurinë e fëmijëve në rrugë;
  6. Shtrirja dhe zgjerimi i aktiviteteve globale për sigurinë e fëmijëve në rrugë, edhe në mbarë vendin tonë.