Fjalimi i Presidentit

Sapo jam zgjedhur kryetar i Këshillit drejtues të Kolegjit Tempulli, një institucioni me traditën më të gjatë të arsimit të lartë privat në vend dhe regjion. Për të qenë më i saktë, vitin e ri 2020 e fillova me detyrën e re i rrethuar me studentë dhe kolegë të tjerë të cilët më mrekulluan me ngrohtësinë dhe mikpritjen.

Pas ndryshimeve në statutin dhe organogramin e ri të Tempullit, unë zotohem se do të bashkëpunojë fort me organet e reja brenda institucionit, duke filluar nga Këshilli drejtues, Këshilli i studentëve, Këshilli akademik, Këshilli i partnerëve, Komiteti shkencor dhe profesional, Zyrën e sigurimit të cilësisë, Dekanatin, Zyrën e Sekretares të Përgjithshme dhe Alumni-në, pra do të bashkëpunojë me të gjithë për një qëllim të vetëm që Tempulli të vazhdojë të veprojë si tempull i dijes duke ndërtuar çdo ditë suksese të reja mbi traditën e vet. Sot e gjithmonë me përulësi e çiltërsi do të jam i lumtur që jam pjesë e një ekipi kaq profesional, duke qenë i bindur se bashkë do ta fitojmë çdo betejë në rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësim nxënie.

Sivjet në vjeshtë do të festojmë bashkërisht vitin e 20 jubilar të nisjes të gjeneratës të parë të studentëve, andaj ju inkurajoj që të merrni një moment për të reflektuar në sukseset tona.

Secili prej jush ka të drejtë të jetë krenar për punën vet. Brenda këtyre viteve diplomuan qindra studentë dhe mijëra kursant të profileve të ndryshme që lidhen me trafikun dhe transportin. Studentët tanë si qytetarë produktivë, do të janë drejtuesit e së nesërmes që do të sigurojnë zhvillim dhe profesionalizëm në punë kudo që janë.

Sot, Tempulli është qendra kryesore e përgatitjes të kuadrove në fusha mjaftë specifike dhe natyrisht që ne jemi krenar për të diplomuarit tanë, të cilët mbajnë primatin e të punësuarve më të mëdhenjtë të fushës nëpër institucione, tregun e lirë dhe në industri. Të diplomuarit tanë sot me punën dhe angazhimin e tyre janë kudo, punojnë në cilësinë e ekspertëve për aksidente të trafikut, në menaxhimin e transportit hekurudhor, në sigurinë në trafikun rrugor në Policinë e Kosovës, mësimdhënës në shkollat e mesme teknike në vend, mbikëqyrës në sektorin e qendrave të kontrollimit teknik, në sektorin e auto shkollave, në vlerësimin e provimeve për patentë shoferë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, në drejtoritë e shërbimeve publike dhe inspektoratet e trafikut në komunat e vendit, në udhëheqjen e operatorëve të transportit të udhëtarëve dhe të mallrave, në kompanitë projektuese dhe ndërtimore të infrastrukturës rrugore, etj. Të diplomuarit tanë na tregojnë se si ata janë më të përgatitur për karrierë dhe jetë sesa të tjerët që punojnë pranë tyre. Jam i bindur që secili prej të diplomuarve tanë, sot janë shembuj më të mirë të punëtorëve me kompetencë dhe etikë të lartë në mjediset ku punojnë.

Duke ditur që Kosova ka kaluar dhe po vazhdon të kalojë nëpër një tranzicion dhe procese aspak të lehta transformuese në dekadat e fundit, ne e kuptojmë se ky proces është i vështirë dhe prek të gjithë sektorët e jetës, përfshirë dhe sektorin e arsimit.

Le ti kthehemi pak imazhit të Tempullit i cili mund të “lexohet” edhe nga logo që përmban në vete: historikun, madhështinë, artin, kulturën, gjithë përfshirjen, diturinë dhe sfidat  ndaj kohës.

Mirëpo Tempulli fillesat e para të punës i ka në vitin 1992, si qendër aftësimi dhe edukimi i kandidatëve fillestar për ngasës të automjeteve. Përveç ofrimit të këtyre programeve aftësuese, Tempulli ka zhvilluar me analiza dhe ekspertiza të aksidenteve në trafik, ka mbajtur ligjërata dhe aktivitete vullnetare nëpër shkollat fillore të kryeqytetit dhe fshatrave përreth. Në vitin 1996 ka edituar edhe revistën e parë në vend dhe rajon në gjuhën shqipe lidhur me aktualitetin, trafikun transportin dhe automobilizmin me emrin “Autotempulli”.

Si rezultat i përkushtimit dhe koherencës së punës së tij, të shikuar në përshtatje me nevojat të tregut në vend dhe më gjerë, Tempulli ndër vite është rritur dhe zhvilluar me programe cilësore akademike dhe profesionale.

Pra, edhe historiku i Tempullit është i ngjashëm për shkak të sfidave që iu ka rezistuar, përgjatë viteve të zhvillimit të vet si Institucion i  parë privat i arsimit  të lartë. Prandaj sfidat si çdo fillim i çfarëdo pune normalisht që ishin shumë të mëdha, por themeluesi dhe ideatori i këtij projekti profesor Arif Krasniqi, përnjëmend i sfidojë të gjitha. I sfidojë edhe paragjykimet e shoqërisë për  vet faktin se Tempulli ishte i pari institucion i arsimit të lart privat në vend. Një institucion privat i arsimit të lartë, diçka që më parë as që kemi mundur ta imagjinonim e lëre më ta jetësonim një  mundësi reale që të rinjtë të vijojnë studimet në një institucion privat, kur edhe Universiteti i vetëm publik në Kosovë sapo po i mbushte 30 vite së ekzistuari. Ishin shumë dilema po ja që dhjetori i vitit 2001 shënojë edhe akreditimin e parë preliminar të Tempullit nga administrata e kohës. 

Tempulli në vitin akademik 2001/2002, ka filluar në ofrimin e programeve akademike për studimet e Nivelit 6 KKK/Bachelor, ndërsa që nga viti akademik 2007/2008 ka zgjeruar dhe specializuar mundësinë për programore të studimeve edhe me Nivelin 7 KKK/Master, në limitë specifike të shkencave teknike me fokus trafikun, transportin dhe telekomunikacionin.

Dhjetëra breza të studentëve të cilët kanë përfunduar studimet ende e kujtojnë përkufizimin e profesor Arifit për trafikun: “Trafiku është gjaku i sistemit ekonomik të çdo vendi por edhe Kosovës dhe si i tillë është bartësi kryesor i ndryshimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm të vendit. Rrugët e qarkullimit të gjakut brenda këtij sistemi janë arteriet rrugore, hekurudhore, detare,  postare dhe ajrore”.

Sot e 30 vite nga fillesat e para të punës të Tempullit dhe 20 vite nga fillimi i gjeneratës të parë në studimet Bachelor, se bashku me ekspertë vendor dhe ndërkombëtar të arsimit të lartë rishikuam punën tonë duke kërkuar mundësi të reja për reformim dhe zhvillim në hap me institucionet më kredibilë të arsimit të lartë në botë. Dhe pashmangshëm riformuluam Misionin e Tempullit duke u bazuar në kërkesat e ngritjes së cilësisë dhe ndërlidhjes me kërkesat e tregut të punës për plotësimin, rrjedhimisht bëmë përshtatje edhe me zgjerimin e programeve të reja profesionale. Procesi i ndryshimit të misionit ka kaluar nëpër disa faza ku janë përfshirë në konsultime të vazhdueshme studentët, asistentët, profesorët, ekspertët e fushës, udhëheqësit e Tempullit, partnerët institucional, social, biznesit dhe komunitetit.

Jemi të lumtur që Deklarata e Misionit të ri të Tempullit është sikur më poshtë:  

Tempulli ndërton mbi traditën e vet pozitive, organizon mësimdhënie (në programe akademike dhe profesionale), ekspertiza, hulumtime të aplikuara, trajnime dhe shërbime kom unitare për studentët dhe komunitetin në përgjithësi, në fushën e trafikut, transportit,  sigurimeve, mjedisit, gjeologjisë dhe energjisë në funksion të zhvillimit të ekonomisë, punësimit dhe zhvillimit të shoqërisë.

Gjatë punëtorive të shumta dhe të zgjeruara të grupeve punuese me qëllim të rishikimit të misionit, vizionit, planit zhvillimor strategjik, më kujtohet kërkesa e profesor Xhavit Rexhës, i cili të pranishmeve në punëtori u kërkonte të shkruanin një “ëndërr” se ku e shohin ata Tempullin pas 10-15 viteve. Dhe ja kështu nga “ëndrrat” e anëtarëve të grupeve punuese, na rrodhi vizioni, një vizion shumë burimor, natyral dhe mbi të gjitha i dedikuar:

Vizioni i Tempullit është që të jetë një qendër studimore, lider në lëmi të specializuara dhe të gërshetuara në fusha specifika për të cilat ka nevojë rinia e Kosovës dhe tregu i vendit e rajonit, dhe më gjerë, si dhe të një qendre profesionale të specializuar në fushën e studimeve telekomunikacionit dhe drejtimeve të përafërta me të në vend, me ndikim në rajon e më gjerë, si dhe një qendre për kërkimin shkencor në ato drejtime specifike ku zotëron potencial si institucion edukativo mësimore dhe shkencor.

Pas qartësimit të misionit dhe vizionit, Tempullit i duhej edhe qartësimi i drejtimit dhe rrugës, se kah do të shkojë së paku për pesë vitet e ardhshme, dhe kjo u realizua përmes Planit zhvillimor strategjik 2020-2024.

Përveç sfidave që në përcollën gjatë ecjes tonë për gadi tri dekada, ne kishim edhe disa përparësi  sikurse ishin drejtimet dhe programet specifike në lëmine teknike. Për herë të parë qytetarëve dhe vendit po krijon mundësi që të studiohet në gjuhën shqipe në lëmine e trafikut dhe transportit. Pastaj jo vetëm që ishim të parët por edhe jemi lider për fushat teknike (jo vetëm në studimet akademike) por edhe programet trajnuese profesionale të cilat ofrohen nga QZHP (Qendra për Zhvillim Profesional) dhe projektet studimore dhe shkencore nga Instituti për Siguri Rrugore dhe Hulumtime në Transport.

Tempulli e kupton se ekzistenca e një numri të madh të kolegjeve në Kosovë, bartës të arsimit të lartë, kanë nevoje dhe duhet të promovojnë punë origjinale dhe unike, për çka Tempulli i ka marrë për bazë edhe rekomandimet e ekspertëve dhe do të krijojë mekanizmat më efikas për llogaridhënie, duke besuar se kjo i ndihmon Tempullit që së bashku me kritikat e sugjerimet do të ndërtohet një përmirësim i vazhdueshëm i cilësisë të arsimit të lartë në Kosovë në përgjithësi dhe në Kolegjin Tempulli në veçanti.

Tempulli tash e sa vjet ka rolin kryesor në organizimin, promovimin, mbështetjen e resurseve humane dhe financiare në fushën e trafikut dhe transportit. Duke shkuar përtej saj, duke e marrë udhëheqjen e vetëdijesimit të qytetarit për rregullat e trafikut dhe rëndësinë e tij për jetë të dinjitetshme dhe si pjesëtarë i shoqërisë. Në kuadër të shërbimeve komunitare, Tempulli, për shumë vite me radhë, në bashkëpunim më Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Asociacionin Kosovar të Motorizimit AMRKS  dhe partnerët e Forumit të Kosovës për Siguri në Rrugë, organizon dhe realizon ligjëratat në shkolla fillore me tematikë zbatimi i rregullave të lëvizjes në rrugë dhe pasojat e aksidenteve rrugore. Ky angazhim nga stafi i Tempullit realizohet në baza vullnetare. Po ashtu në vitin kalendarik 2019 janë realizuar projekte të rëndësishme Planeve të Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban për Komunat Podujevë, Ferizaj, Gjilan, Graçanicë si dhe për Lagjen Dardania si lagja më e madhe e qytetit të Prishtinës.

Sikurse çdo punë dhe sukses që matet me numra (statistika) edhe puna dhe sukseset tona janë të matshme:

  • Mosha mesatare e studentëve është duke u zvogëluar, brenda 3 viteve të fundit nga mosha mesatare e studentëve prej 33 vjeç tash kemi arritur në moshën mesatare të studentëve në 24 vjeç.
  • 515 studentë kanë diplomuar dhe 587 janë në procesin mësimor (ose kanë ende statusin e studentit).
  • 115 kandidatë kanë përfunduar shkollimin për vlerësues (ekzaminerë) në provimet për patentë shoferë.
  • 1850 Instruktor të shoferëve kanë përfunduar shkollimin për instruktor të shoferëve.
  • 2912 kandidatë kanë përfunduar aftësimin për ngasje (auto shkollën).
  • 643 shoferë kanë përfunduar trajnimin Kompetenca profesionale për shoferët e transportit të mallrave dhe udhëtarëve CPD-D.  
  • 72 Menaxher kanë përfunduar trajnimin Kompetenca profesionale për Menaxherin e operatorit të transportit CPC-M.
  • 109 shoferë kanë përfunduar trajnimin për transportin e mallrave të rrezikshme ADR.

Do të doja të merrja përsipër kredi për njerëzit dhe ekipet e shkëlqyera që kemi tubuar rreth Tempullit.

Këshilli drejtues, një ekip e fuqishëm dhe bashkëveprim i komponentës vendore dhe ndërkombëtare. Me njerëz të dëshmuar me punë inovative dhe studime të përfunduara në universitete kredibile në Evropë dhe Amerikë.

Këshilli akademik, si organi më i lartë akademik që garanton lirinë akademike dhe pjesëmarrjen aktive të studentëve në vendimmarrje në çdo hap. Këshilli tubon profesorët, studentët dhe stafin administrativë në udhëheqjen e Dekanit.

Dekani dhe dy prodekanët, profesor të njohur dhe prijës të shumë projekteve, ekspertizave shkencore dhe akademike në fushën e inxhinierisë të trafikut dhe transportit në vend dhe rajon.

Komiteti mësimor dhe shkencor, një përbërje e zgjeruar e të gjithë anëtarëve të personelit (profesor, asistent, studente dhe administrate).

Instituti, në kuadër të strukturës funksionale në Kolegjin Tempulli vepron edhe Institutit për siguri rrugore dhe hulumtime ne transport, i cili udhëhiqet nga profesori që konsiderohet njëshi i sigurisë rrugore në vend.  

Sekretari përgjithshëm, njeriu më profesionist që ka Tempulli që nga thememelimi i vet, njeriu kujdestar dhe përgjegjësi kryesor për kryerjen e punëve administrative, juridike dhe punëve tjera sipas autorizimeve nga Statuti.

Këshilli i studentëve, një grup i studentëve të dashur që përfaqësohen në të gjitha nivelet dhe njësitë akademike.

Koordinatorët, profesionistë që marrin pjesë në organizimin dhe mbajtjen e ligjëratave, ushtrimeve, provimeve, seminareve dhe punëve hulumtuese.

Alumni një urë lidhëse në mes të Qendrës të karrierës, Këshillit të studentëve, Këshillit të partenrëve dhe tregut të punës në Kosovë, që  siguron qëndrueshmëri të shërbimit ndaj klientëve të jashtëm dhe të brendshëm duke demonstruar cilësinë.

Këshilli i partnerëve, një trupë e partneritetit nga tregu i punës, industrisë dhe pjesës akademike të Tempullit. 

Komitetet, të cilat mbulojnë shumicën e çështjeve që lidhen me studimet dhe studentët:

Komiteti shkencor dhe profesional, Komiteti për sigurimin e cilësisë, Komiteti i etikës, Komiteti disiplinorë dhe Komiteti i ankesave.

Qendra për Zhvillim Profesional (QZHP), njerëz me kompetencë, me dije dhe me vullnet për punë, që organizojnë programe aftësuese, trajnime profesionale dhe certifikime profesionale nën autorizimin e institucioneve përkatëse qeveritare.

Të dashur studentë dhe kursantë, sigurisht që ju keni patur edhe ditë të mira dhe ditë të këqija gjatë studimeve tuaja. Shumë prej jush kanë plot kujtime të jetës suaj në Tempull të cilat dëshironi t’i ushqeni për një kohë të gjatë.

Të gjithë ju padyshim se jeni pjesë e historisë tonë të përbashkët që quhet Tempulli, një histori që do të jetë shumë domethënëse për të ardhmen tuaj. Ju nuk mund t’i shpëtoni të së kaluarës, por mund të ndërtoni atë për të ardhmen tuaj. Shkruani sepse gjërat harrohen, të shkruash do të thotë të mendosh se çfarë ke kaluar sepse ju mund ta shihni të ardhmen tuaj vetëm duke shikuar të kaluarën tuaj.

Historia për jetën tuaj në Tempull do të jetë gjithashtu diçka që mund t’i sillni familjes dhe miqve tuaj në shtëpi. Mund të bëhet një thesar i veçantë që njerëzit përreth jush mund të shijojnë dhe krenohen me të.

Unë mendoj se përvoja juaj në studime ka qenë në të vërtetë një përvojë e re jetësore dhe meqenëse Tempulli ka zënë një vend të veçantë për ju, atëherë kthehuni më shpesh dhe na vizitoni, sespe do të ushqeni kujtesën tuaj dhe tonën.

Ju jeni gjithmonë të mirëpritur.

Të dashur studentë dhe kursantë, këtë fjalimin tim po e përfundojë me fjalinë që e nisa, mbarësi në studime në vitin e 19-të akademik të Kolegjit Tempulli.