Shkaktarët e aksidenteve nga këndvështrimi i nxënësve

Aksidentet në trafikun rrugor janë një dukuri rutinë që ndodhin në çdo vend të botës. Mijëra njerëz në botë humbin jetën çdo ditë në aksidente të tilla, kurse mijëra të tjerë mbesin me aftësi të kufizuara ose plagë emocionale përgjatë gjithë jetës së tyre. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre personave janë fëmijë dhe të rinj të moshave të ndryshme (World Health Organization, 2007).

Edukimi dhe vetëdijesimi i fëmijëve dhe të rinjve në mënyrë efektive dhe në vazhdimësi për sa i përket rreziqeve në rrugë dhe përgjegjësive të tyre si pjesëmarrës në trafik, padyshim se është pjesë e rëndësishme e zhvillimit të tyre, andaj të gjithë duhet të punojmë së bashku për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë të kuptojnë dhe menaxhojnë rrezikun në rrugë.

Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe përkrahjen nga Forumi i Kosovës për siguri në rrugë këtë vit organizuan edicionin e pestë të Rivistës shkollore “Siguria në rrugë”.

Për dallim nga katër vitet e mëparshme ku aktiviteti ka qenë i fokusuar vetëm në shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, këtë vit aktiviteti në fjalë është shtrirë edhe në shkolla të mesme të larta nga komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës. Përzgjedhjen e shkollave sikurse edhe viteve tjera e ka bërë MASHT-i.

Formula e realizimit të këtij Edicioni ka qenë e njëjtë sikurse viteve të kaluara: pjesa teorike (testimi i nxënësve në shkolla) dhe pjesa praktike (garat e nxënësve me biçikleta).

Të dhënat e nxjerra nga vlerësimi teorik i nxënësve në shkolla, pasqyrojnë njëkohësisht edhe rezultatet e hulumtimit “Shkaktarët e aksidenteve nga këndvështrimi i nxënësve”.

Pjesëmarrës në këtë hulumtim kanë qenë gjithsejtë 3691 nxënës të klasave 11 dhe 12, nga 23 shkolla të mesme të larta, nga dhjetë komuna të Republikës së Kosovës: Gjakovë, Gjilan, Drenas, Junik, Klinë, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Viti.