Prishtinë 18 Tetor 2012
Në takimin e organizuar në drejtorinë e Doganave të Kosovës (DK), drejtori i Shkollës së Lartë Profesionale (SHLP) “Tempulli” z. Muhamed Krasniqi u prit nga drejtori i Doganave të Kosovës z. Naim Huruglica me bashkëpunëtorë. Gjatë këtij takimi u bisedua për bashkëpunimin e deritashëm si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm në mes të DK-së dhe SHLP “Tempulli” në Prishtinë. z. Huruglica njoftoi mysafirin për të arriturat e Doganave të Kosovës dhe tha se mirëpret nënshkrimin e këtij memorandumi dhe krijimin e mundësive që studentët e SHLP “Tempulli” të vazhdojnë të kryejnë praktikën në hapësirat e Doganave të Kosovës. Në anën tjetër z. Krasniqi shprehu falënderimin e tij për gatishmërinë e Doganave për bashkëpunim duke potencuar se për dhjetë vite me radhë studentët e SHLP “Tempulli” kanë kryer praktikën e tyre në DK. z. Krasniqi po ashtu theksoi se për punëtorët e Doganave të Kosovës, Tempulli do të ofrojë benificione në studime të larta Bachelor dhe Master si dhe u zotua se është i gatshëm të organizojë trajnime profesionale nga fusha e transportit dhe shpedicionit.
Memorandumi i nënshkruar ka për qëllim bashkëpunimin institucional dhe avancimin e këmbimit dhe koordinimit të aktiviteteve dhe veprimtarive profesionale të punësuarve dhe studentëve të cilët edukohen sipas planit të vendosur.