25-26 Shkurt 2015
Zagreb, Kroaci
Me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar për dy ditë u zhvillua një vizitë pune në Zagreb, ku Dekani i Fakultetit të shkencave të komunikacionit Prof. Dr. Hrvoje Gold priti në takim pune drejtorin e Kolegjit të shkencave të aplikuara teknike Tempulli z. Muhamed Krasniqi.
Takimet u zhvilluan në dekanatin e këtij fakulteti dhe në kampusin e ri studentor. Takimet ishin shumë konstruktive dhe të dyja palët shprehën gatishmërinë e tyre për thellimin e bashkëpunimit profesional në fusha dhe projekte me interes të përbashkët. Bashkëpunimi me Universitetin e Zagrebit, përkatësisht me Fakultetin shkencave të komunikacionit zë fill qysh nga viti 2002.
Të dy udhëheqësit më të lartë të institucioneve u zotuan që të intensifikojnë bashkëpunimin dhe u pajtuan që fillimisht të zhvillohet një vizitë studimore e studentëve dhe profesorëve të Kolegjit Tempulli në Zagreb.
Duke filluar nga viti i ri akademik varësisht nga nevojat e Kolegjit Tempulli do të angazhohen në mësimdhënie në lëndë të caktuara profesor nga Universiteti i Zagrebit. Po ashtu profesorët nikoqir shprehën gatishmërinë e tyre që të bashkëpunojnë me Kolegjin Tempulli edhe në projekte dhe studime shkencore në fushën e transportit dhe trafikut me theks të veçantë në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore për nevojat e qeverisë në nivelin lokal dhe qendror.
Dekani profesor Gold shoqërohej nga bashkëpuntorët e tij më të ngushtë Prof. Tomislav Mlinariq, prodekan dhe përgjegjëgjës për marrëdhënie ndërkombëtare, Prof. Ernest Bazijanac, prodekan për çështje administrative dhe Prof. Stanislav Pavlin, udhëheqës i studimeve pasdiplomike. Ndërsa drejtori Krasniqi shoqërohej nga profesori Ilir Mehmedi, i cili dikur ishte edhe student i këtij fakulteti në Zagreb.