Edhe shoferët janë heronj të vijës të parë të frontit gjatë COVID 19

Edhe shoferët janë heronj të vijës të parë të frontit gjatë COVID 19

  • Date & Time:
    • Prill 7, 2020

“Shoferët dhe punëdhënësit e tyre janë heronj të vërtetë të rrugës në këtë kohë dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që kontributi i tyre të njihet, siguria dhe jeta e tyre të garantohet” Umberto de Pretto (Sekretari i Përgjithshëm i IRU).

Qeveria e Kosovës së bashku me institucionet tjera të cilat kujdesën për sigurinë publike por edhe për sigurinë shëndetësore të qytetarëve padyshim se gjatë kësaj periudhe në përballje me virusin COVID 19, janë plotësisht në krye të detyrës. Për më tepër këto institucione për punën e tyre morën edhe plot lëvdata dhe mbështetje nga populli por edhe nga komuniteti ndërkombëtar. U lavdërua puna e personelit mjekësor, forcave të rendit dhe grupeve tjera, por askush nuk e perëndi as një fjalë të vetme falënderuese për shoferët tanë që po kujdesen për ushqim, ilaçe dhe gjëra tjera esenciale për jetë.

Shoferët e transportit të mallrave nuk e kanë ndërprerë zingjirin e furnizimit, prandaj të gjithë ne duhet të ju jemi mirënjohës për angazhimin e tyre. Ata sigurisht që kanë nevojë për përkrahje nga qeveria dhe shoqëria sepse gjatë gjithë kohës që janë në rrugë ballafaqohen me rrezik të vazhdueshëm për infektim me virusin COVID 19.

Të gjitha qeveritë pothuajse në tërë globin janë ngritur në këmbë për të gjetur mënyrat më të mira dhe më të sigurta për të ju dalë në ndihmë popullsisë të vet, duke e ndihmuar industrinë e transportit rrugor për të funksionuar sa më sigurt dhe me efikasitet karshi kufizimeve të tanishme nga COVID 19. Organizatat ndërkombëtare duke filluar nga Kombet e Bashkuara, Organizata Botërore e Tregtisë, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Federata Ndërkombëtare e Punëtorëve të Transportit, Unioni Ndërkombëtar i Rrugëve, Organizata Ndërkombëtare të Punëdhënësve, Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe Banka Botërore janë duke bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë në të gjithë botën në trajtimin e COVID 19. Të gjitha këto organizata globale kanë rritur aktivitetet e tyre në kërkimin e mundësive për të mbështetur industrinë e transportit me fokus të posaçëm lëvizjen e lirë të shoferëve në rrafshin ndërkombëtar gjatë COVID 19. Mirëpo, situata në terren sa i përket transportit rrugor qëndron më ndryshe p.sh. bllokimi i transportit rrugor në disa shtete ka detyruar edhe ndërhyrjen e Presidentes të Komisionit Evropian znj. Ursula von der Leyen, në trajtimin e shoferëve të kamionëve në kufijtë e Turqisë për shkak të pozitës të rëndësishme gjeografike në pjesën jug-lindore të Evropës dhe në pjesën perëndimore të Azisë. Turqia aktualisht nuk po lejon që qytetarët nga 66 vende të ndryshme të hyjnë në vend dhe ka vendosur procedura të rrepta karantine. Drejtuesit e kamionëve që dërgojnë mallra thelbësore nga dhe për në BE përmes Turqisë po përballen me periudha karantine që zgjasin 14 ditë në kufirin Turqi-BE-kryesisht në pikën kufitare Kapikule midis Bullgarisë dhe Turqisë. Kina ka hequr të gjitha tarifat rrugore në të gjithë vendin për të gjitha automjetet, deri në përfundimin e pandemisë. Amerika e Veriut ka koordinuar politikat e tyre kufitare duke lejuar të kalojnë vetëm automjetet tregtare ose të tjerët me nevoja thelbësore.

Komisioni Evropian ditë më parë ka paraqitur udhëzime praktike për të siguruar qarkullimin e vazhdueshëm të mallrave nëpër vendet e BE-se, përmes shiritave të gjelbër rrugor së bashku me udhëzimet për menaxhimin e kufijve gjatë pandemisë aktuale. Për të siguruar që zinxhirët e furnizimit në mbarë BE-në, shteteve anëtare u kërkohet të përcaktojnë pa vonesë në të gjitha pikat e kalimit të kufirit të brendshëm në rrjetin trans-evropian të transportit (TEN-T), si vendkalime kufitare me një shirit të gjelbër rrugor. Një nga këto udhëzime për shiritat e gjelbër rrugor për të gjitha mjetet e transportit duhet të zvogëlohen procedurat për kalimin e kufirit përfshirë çdo kontroll edhe kontrollin e shëndetit, të cilat në tërësi nuk duhet të zgjasin më shumë se 15 minuta. Kërkohet që shoferëve të ju mundësohet që certifikatat e kompetencës profesionale (CPC) të konsiderohen si të mjaftueshme për të dëshmuar të qenit punëtor aktiv në transportin ndërkombëtar. Në mungesë eventuale të certifikatave të tilla (sepse jo të gjithë shoferët ndërkombëtarë kanë një të tillë), një letër e nënshkruar nga punëdhënësi do të ishte e mjaftueshme. Në rastin e Kosovës ky veprim do të funksiononte mirë sepse në vendin tonë janë dy qendra trajnuese ndërkombëtare të cilat mund të kontribuonin që shoferët tanë të pajisen me këto certifikata të kompetencës profesionale të cilat kanë edhe njohje ndërkombëtare.

Qeveria e vendit përmes Ministrisë te Infrastrukturës dhe Ambientit me Vendimin e vet Nr. 01/7 të datës 11.03.2020, ndër të tjera ka obliguar të gjithë operatorët e transportit vendor dhe ndërkombëtar për zbatimin e masave parandaluese për COVID 19. Ndoshta në të njëjtin vendim do të duhej të jipeshin lehtësime në vendkalimet kufitare për shoferët e kamionëve që transportojnë ushqime, pajisje mjekësore dhe pajisje të tjera jetësore që janë të domosdoshme në këtë kohë pandemie. Vendimi i Ministrisë të Punëve të Brendshme i javës të kaluar, për ndërprerjen e transportit publik në tërë territorin e Kosovës sigurisht që ka qenë masë rigoroze dhe ka goditur rëndë transportin publik sidomos trafikun urban në kryeqytet i cili ishte shembull i respektimit të masave strikte në vend dhe jo vetëm. Në mbarë botën po në këtë frymë bëhen përpjekje për modele më ndryshe në menaxhimin e krizës, p.sh. IRU Academy një organizate botërore e transportit rrugor që përfaqëson zërin e 3.5 milion kompanive operative të transportit nga mbarë globi, kërkon urgjent nga OKB-ja që të ju bëjë thirrje qeverive të vendeve anëtare që të lejojnë në masën e mundur shërbimet e transportit të brendshëm të udhëtarëve për të mundësuar që njerëzit të lëvizin në punë dhe kur është e nevojshme të blejnë furnizimet e domosdoshme. Ne anën tjetër ju kërkohet qeverive që të sigurojnë programe emergjente të ndihmës shtetërore për industrinë e transportit dhe bizneset tjera me ndikim për të parandaluar falimentimet e tyre.

T’i kthehemi vendit tonë ku edhe te ne kjo pandemi ka një ndikim të madh çrregullues në transportin kombëtar dhe ndërkombëtar. Shqetësimi ynë pra, ka të bëjë më sektorin e transportit rrugor i cili në vendin tonë është i organizuar kryesisht përmes kompanive të vogla dhe të mesme.

Marrë në përgjithësi, gati 6% të punëtorëve në nivel global janë të punësuar në transportin rrugor.

Te ne, për shkak të madhësisë së tyre, kompanitë transportuese nuk do të mund të përballojnë lehtësisht tronditjet dhe ndikimet ekonomike të COVID 19. Prandaj, te gjithë (pozita dhe opozita) duhet që njëzëri të mbështesin transportuesit rrugor sikurse kanë ndihmuar kategoritë tjera.

Në fund, pa marrë parasysh që vendi ynë por edhe shtetet fqinje kanë mbyllur kufirin dhe pothuajse kanë pezulluar të gjitha llojet e transportit, vlerësojë se edhe në rajonin tonë duhet të praktikohen shiritat e gjelbër rrugor për të lehtësuar transportin e mallrave, respektivisht gjërave esenciale për jetë në këtë kohe pandemie. Rrugët duhet të hapen kudo dhe për aq kohë sa të jetë e mundur edhe në zonat e prekura. Shoqëria dhe shteti duhet ti mbrojnë punonjësit e transportit dhe operatorët e transportit sepse janë shtylla ekonomike e Kosovës.
Dr. Sc. Muhamed A. Krasniqi

Artikulli origjinal i publikuar në Koha.net 

Join event

2020-4-7 2020-4-7 Europe/London Edhe shoferët janë heronj të vijës të parë të frontit gjatë COVID 19 “Shoferët dhe punëdhënësit e tyre janë heronj të vërtetë të rrugës në këtë kohë dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që kontributi i tyre të njihet, siguria dhe jeta e tyre të garantohet” Umberto de Pretto (Sekretari i Përgjithshëm i IRU). Qeveria e Kosovës së bashku me institucionet tjera të cilat […] Not indicated
Add to Calendar
You already has been joined the event.
×
Thank you! You joined the event.
×