Home

Kosova shënon Ditën Evropiane pa viktima në rrugë

Prishtinë, 21 Shtator 2017

Këtë vit edhe vendi ynë u bë pjesë e shumicës së vendeve Evropiane për shënimin e Ditës Evropiane pa viktima në rrugë. Kolegji i shkencave të aplikuara teknike “Tempulli” dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS” organizuan një tryezë diskutimi me përfaqësues nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Brigada e zjarrfikësve, Qendra e mjekësisë urgjente, Forumi i Kosovës për siguri në rrugë, ekspert të trafikut, etj.

Tryeza bashkojë për diskutim përfaqësues nga institucionet dhe akterët vendor që merren me çështjet e sigurisë rrugore dhe transportit në vend, ku ndër të tjera u diskutuan edhe çështjet si:

-Veprimet e institucioneve dhe masat konkrete me qëllim të zvogëlimit të aksidenteve të trafikut në rrugët e Kosovës;

-Vështirësitë në ofrimin e shërbimeve emergjente në rast të aksidenteve rrugore dhe hekurudhore;

-Roli i auto shkollave në aftësimin e mirëfilltë të shoferëve të rinj dhe ndikimi i mediave në sensibilizimin e shoferëve për të eliminuar vdekjet në rrugë si pasojë e aksidenteve.

Muhamed Krasniqi nga Kolegji “Tempulli”, e cilësoi gjendjen e sigurisë në rrugë si alarmante, duke thënë se aksidentet me të lënduar dhe me viktima janë të përditshme. Ndërsa, kolonel Sheremet Ahmeti nga Policia e Kosovës, tha se ky institucion mbetet i përkushtuar për ofrimin e sigurisë së qytetarëve të Kosovës. Ai tha se muajt qershor, korrik dhe gusht kanë qenë me një numër më të madhe të aksidenteve me fatalitet. Nënkolonel Afrim Veseli nga MFSK, tha se si FSK nuk janë hallka e parë për të ofruar siguri në rrugë. Por, ai tha që kanë një flotë të madhe të automjeteve që janë pjesëmarrës në komunikacion dhe kontributi i tyre në këtë drejtim është që ato automjete të jenë teknikisht në rregull.

“Dita Evropiane pa viktima në rrugë” është lansuar për herë të parë vitin e kaluar nga TISPOL-Rrjeti Evropian i Policisë Rrugore dhe është përkrahur nga Komisioni Evropian.