Home

Konferenca e Pestë Ndërkombëtare “Auditimi i Sigurisë Rrugore dhe Zvogëlimi i Aksidenteve në Trafik”

Prishtinë, 23-24 Janar 2018

Duke qenë se në Kosovë por edhe në vendet e regjionit viteve të fundit janë duke u ndërtuar rrugë dhe autostrada të reja, padyshim se auditimi i sigurisë rrugore është proces i pashmangshëm i cili duhet të zbatohet që nga faza e projektimit, ndërtimit dhe të vazhdojë me mbikëqyrjen periodike të rrjetit rrugor, në mënyrë që numri i aksidenteve në rrugë të mbahet në minimum.

Në përputhje me rëndësinë e kësaj çështje dhe nevojat e Kosovës për zbatimin e këtij ekzaminimi formal të projektit rrugor, Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, Instituti i Sigurisë Rrugore dhe Hulumtimeve në Transport dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS” organizuan Konferencën e Pestë Ndërkombëtare “Auditimi i Sigurisë Rrugore dhe Zvogëlimi i Aksidenteve në Trafik”.

Në hapje të Konferencës morën pjesë përfaqësues të institucioneve më të larta qeveritare vendore dhe ndërkombëtare të cilat kanë mandat ligjor dhe trajtojnë çështjet e auditimit të rrugëve dhe sigurisë rrugore.

Zëvendësministri i Infrastrukturës z. Rexhep Kadriu, në fjalën e tij adresuar pjesëmarrësve në këtë konferencë ka elaboruar punën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe veprimet e ndërmarra, në mënyrë që të rritet siguria në trafik dhe aksidentet në komunikacion, e në veçanti ato me fatalitet, të mos ndodhin. Sipas tij rekomandimet e kësaj konference do të merren seriozisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe ato do të inkorporohen në strategjitë e veprimit të ministrisë, në uljen e aksidenteve e sidomos atyre me fatalitet.

Kurse, Shefi i Kabinetit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Fehmi Hysenaj në fokus vuri çështjen e nevojës për rritjen e bashkëpunimit të akterëve të kësaj lëmie si: Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Brendshme, MASHT dhe Policia e Kosovës, ku në mbështetje të këtij bashkëpunimi të ngritën grupe punuese ndërministrore, me qëllim të sensibilizimit të opinionit për rolin e sigurisë rrugore në përgjithësi, për t’i kontribuar zvogëlimit të aksidenteve në trafik.

Sipas Drejtorit të Kolegjit “Tempulli” z. Muhamed Krasniqi duhet të pranojmë se siguria në rrugë është përgjegjësi e secilit nga ne. Andaj, nuk është përgjegjësi që i takon vetëm Qeverisë apo policisë, apo vetëm një institucioni.

Në këtë Konferencë në katër panele të ndara kontribuan me përvojat dhe prezantimet e tyre përfaqësuesit nga Këshilli Evropian për Siguri në Transport (Bruksel), Policia e Kosovës, Ecomobilis (Zagreb), Smart City Srl (Romë), Forumi i Kosovës për Siguri në Rrugë (Prishtinë), Drejtoria e Policisë Rrugore (Tiranë), Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës (Tiranë),  Instituti i Sigurisë rrugore dhe Hulumtimeve në Transport (Prishtinë), Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (Prishtinë), Universiteti Teknik i Lindjes së Mesme (Ankara).

Sikurse edhe viteve të kaluara edhe këtë herë Konferenca u përkrah nga IRU Academy, European Transport Safety Council – ETSC, Centre for Transport and Logistics “Sapienza” – University of Rome, Global Alliance of NGOs for Road Safety dhe Forumi i Kosovës për Siguri në Rrugë.