Home

Kolegji Tempulli licencohet për shkollimin e Instruktorëve të Shoferëve

Prishtinë, 5 Mars 2019

Pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për Patentë Shofer Nr. 05/L-064, datë 03.06.2016, në Kosovë nuk ka patur asnjë institucion të akredituar për shkollimin Instruktorë i Shoferëve dhe organizimin e seminareve në fushën e patentë shoferit për shkak se ky shkollim (standard i profesionit) nuk ishte fare në Listën zyrtare të standardeve të verifikuara  nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.

Pas hartimit të standardit kombëtar “Instruktor i Shoferëve” Kolegji Tempulli ka plotësuar kushtet dhe kriteret ligjore për ofrimin e këtij shkollimi, me program të akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe të licencuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit. Autorizimi për organizimin e trajnimit dhe seminareve për Instruktor të shoferëve është lëshuar sot nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në bazë të kërkesës të Kolegjit Tempulli të ushtruar me 29 Janar 2018.

“Jam i lumtur që edhe në Kosovë tashmë do të ofrohet ky kualifikim dhe seminaret për instruktor në fushën e patentë shoferit, kështu qytetarët e vendit do të kanë mundësi që të ndjekin shkollimin gjashtëmujor në një institucion të akredituar dhe licencuar për këto trajnime dhe seminare. Kolegji Tempulli që nga viti 2006 ka ofruar këto trajnime dhe seminare si institucion i autorizuar nga Ministria e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit. Në këto trajnime kemi angazhuar profesorët më të mirë nga vendi dhe laboratorët i kemi pajisur me mjete më moderne të kohës të importuara nga jashtë. Këto dy komponentë garantojnë sigurimin e cilësisë si dhe arritjen e shkathtësive në profesion. Me këtë Kolegji Tempulli përveç ofrimit të studimeve akademike, ka plotësuar edhe mozaikun e trajnimeve të shumta në fushën e trafikut dhe transportit” tha Prof. Dr. Muhamed Krasniqi, drejtor i Kolegjit Tempulli.