Home

Edicioni i shtatë i Rivistës shkollore “Siguria në rrugë”

15 Prill 2019-10 Maj 2019

Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli” dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe përkrahjen nga partnerët e Forumit të Kosovës për Siguri në Rrugë organizuan edicionin e shtatë të Rivistës shkollore “Siguria në rrugë”.

Aktivitetet e zhvilluara tash e shtatë vite në kuadër të këtij projekti kanë dhënë fryte për sa i përket edukimit dhe vetëdijesimit të nxënësve për sigurinë në rrugë, njëkohësisht kanë ndihmuar edhe në identifkimin e njohurive të nxënësve në njohjen e rregullave dhe shenjave të trafikut.

Këtë vit MASHT-i ka vendosur se pjesë e këtij edicioni të jenë shkolla nga Komuna e Drenasit, Dragashit, Istogut, Klinës, Fushë Kosovës, Mitrovicës, Lipjanit, Obiliqit, Podujevës, Prishtinës, Vushtrrisë dhe Ferizajit.

Agjenda:

15 Prill-19 Prill 2019-Pjesa teorike

Grupet punuese kanë vizituar shkollat pjesëmarrëse të përzgjedhura, ku janë mbajtur ligjërata lidhur me kulturën e sjelljes në trafik.

10 Maj 2019-Pjesa praktike- Sheshi “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë

Secila nga shkollat është përfaqësuar me nga tre nxënës nga klasat 6,7 dhe 8. Nxënësit garues kanë demonstruar njohuritë e tyre në njohjen e shenjave dhe rregullave të trafikut dhe shkathtësitë  teknike në ngasjen e biçikletave. Kurse pas analizimit të rezultateve të nxënësve shpallen edhe kampionët e këtij edicioni.

Përveç garave me biçikleta në agjendën e kësaj dite janë zhvilluar edhe aktivitete në mbështjetje të Javës së Pestë për Siguri Globale Rrugore të Kombeve të Bashkuara dhe kampanjës SaveLIVES#SpeakUp si dhe një hapësirë për aktivitete argëtuese për publikun.