Identifikimi i faktorëve kryesor që ndikojnë në sigurinë e lëvizjes së nxënësve në rrugë

Edukimi dhe arsimimi për sigurinë në rrugë por edhe informimi i publikut, ndihmojnë që njerëzit të lëvizin në mënyrë më të sigurt në rrugë. Duke vetëdijesuar dhe inkurajuar njerëzit që t`i binden rregullave dhe shenjave në rrugë, ndihmohet në krijimin e mirëqenies dhe rehatisë për të gjithë. Këto dhe arsye të tjera të ngjashme kanë qenë shtytja kryesore për fillimin e punës në realizimin e këtij hulumtimi.

Kolegji “Tempulli” dhe AMRKS në bashkëpunim me MASHT dhe përkrahjen nga FKSRR këtë vit organizuan edicionin e katërt të Rivistës shkollore “Siguria në rrugë”, aktivitet ky tashmë tradicional në shkallë vendi, me nxënës përfaqësues të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta nga komunat e ndryshme të Republikës së Kosovës. Përzgjedhjen e shkollave e bënë MASHT-i.

Në vitin 2016 pjesë e aktivitetit ishin gjithsejtë 20 SH.F.M.U. nga 6 Komuna të Republikës së Kosovës (Prishtinë, Lipjan, Ferizaj, Vushtrri, Suharekë dhe Mitrovicë). Sikurse viteve të kaluara, implementimi i këtij edicioni ka qenë i ndarë në dy pjesë: pjesën teorike (vizitat në shkolla ku bëhet testimi/vlerësimi i nxënësve) dhe pjesën praktike (garat e nxënësve me biçikleta). Të dhënat e nxjerra nga vlerësimi teorik i nxënësve në shkolla, pasqyrojnë njëkohësisht edhe rezultatet e këtij hulumtimi.